Get the Flash Player to see this rotator.

  • Faqe Kryesore
  • Indeksi
  • Forum

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në Milot dhe Fushë-Kuqe: “Qytetarët dhe madje vetë Edi Rama është mërzitur me Edi Ramën në rrugën e tij të vetmisë!”

Kryetarja e Kuvendit dhe Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli ishte në Milot për prezantuar dhe mbështetur kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Behar Haxhia, si dhe në Fushë-Kuqe për mbështetjen e kandidatit Gjovalin Miri.
Në fjalën e saj përpara banorëve të këtyre komunave, zonja Jozefina Topalli theksoi se në vitet e fundit mazhoranca ka tejkaluar premtimet e veta, duke bërë të mundur që sot Shqipëria të jetë vendi me rritjen më të lartë ekonomike, vend anëtar i NATO-s dhe qytetarët shqiptarë mund të lëvizin pa viza.
“Ne ju premtuam ndryshimin e rrugëve në përgjithësi dhe ne ia arritëm të ndërtonim mbi 8 mijë kilometra rrugë. Ne ju premtuam në mandatin tjetër që do të bëheshim anëtarë të NATO-s dhe ia dolëm. Premtimi ynë për heqjen e vizave ishte i vështirë, por ne e mbajtëm premtimin,” tha zonja Jozefina Topalli.
Më tej, Kryetarja e Kuvendit dhe Nënkryetarja e PD-së vuri në dukje se ndërsa mazhoranca shkon përpara qytetarëve me një bilanc pozitiv dhe të suksesshëm, nga pala tjetër qytetarëve nuk u paraqitet asnjë alternativë, por vetëm alternativa urrejtjes, bllokimit, sherrit dhe konfliktit.
“Nga ana tjetër ndodh që kemi një kryetar partie, bashkie, emrin vëreni si të doni, i cili shkon në këto zgjedhje me një bilanc zero, pasi ka qeverisur të paktën për 12 vite. Kemi një kryetar partie apo një kryetar bashkie, i cili shkon në këto zgjedhje pa alternativë. Kemi në kryetar partie që është përpjekur të bëjë çdo gjë që të bllokojë Parlamentin; që të mos e lejojë Parlamentin të ecë me axhendën e vet; që Parlamenti të mos  lejohej që të kalonin ligjet për heqjen e vizave”, nënvizoi zonja Jozefina Topalli.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se tashmë qytetarët janë të mërzitur me Edi Ramën, partia e tij është mërzitur me të dhe qytetarët po tregojnë se kanë një instinkt politik dhe racionalitet që mbështetet te përgjegjësia për të ardhmen.
“Jo vetëm qytetarët janë të mërzitur me Edi Ramën, jo vetëm që Partia Socialiste është e mërzitur me Edi Ramën. Në fakt vetë Edi Rama është mërzitur me Edi Ramën në rrugën e tij të vetmisë”.
Zonja Jozefina Topalli ftoi banorët e Milotit dhe Fushë-Kuqes që më 8 maj të shpëtojnë vendin dhe kombin nga një person që kulturën e dhunës e ka parësore dhe të votojnë alternativën e paqes, respektit dhe të ardhmes.
“Ne si shqiptarë kemi mundësi që më 8 maj t’i themi “Stop” kulturës së dhunës. Ne nuk pranojmë dhunën. Ne nuk pranojmë bllokimin; ne nuk pranojmë sherret; ne nuk pranojmë konfliktin; ne duam paqe; ne duam dashuri; ne duam respekt; ne duam të ardhmen.”

 
 

Video Aktivitete