Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli pret Znj. Helen Clark, Kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së dhe Administratore e Agjensisë për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara. Znj Clark: ”Shqipëria model frymëzues për nismat e OKB”
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti sot Znj. Helen Clark, Administratore e PNUD dhe Kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së, si dhe drejtues të lartë të këtij misioni. Duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit, e përgëzoi zonjën Clark për organizimin dhe drejtimin e konferencës të nivelit të lartë ndërkombëtar “Një OKB”, e cila po mbahet në Tiranë, në bashkëpunim me Qeverinë shqiptare dhe Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Në konferencë marrin pjesë mbi 300 përfaqësues nga 40 vende të botës, ku qëllimi është trajtimi i programeve dhe reformave të zhvillimit social ekonomik të vendeve anëtare të OKB, në një orientim të ri, në sfidat dhe risitë e mijëvjeçarit të ri.
Kryetarja e Kuvendit u shpreh e kënaqur që Kuvendin e Shqipërisë e viziton një personalitete e lartë e Kombeve të Bashkuara dhe ish kryeministre e Zelandës së Re, në tri mandate.
Administratorja e PNUD, znj. Helen Clark tha se organizimi i konferencës “Një OKB “ në Shqipëri dëshmon nivelin shumë të mirë të marëdhënieve mes qeverisë dhe institucioneve shqiptare me OKB-në. Ajo vlerësoi në mënyrë të veçantë arritjet e mëdha që ky vend ka bërë në një kohë të shkurtër.“ Shqipëria u shpreh zonja Clark, pas një periudhe të vështirë dhe me sfida, ka arritur të implementojë me sukses reformat për zhvillim dhe progres”.
Kryertarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se, Shqipëria me potencialet e jashtëzakonshme ka bërë transformime, duke rikuperuar shekuj të humbur. “Kryefjala e axhendës së Qeverisë , Parlamentit dhe institucioneve kanë qenë reformat dhe vetëm reformat”- tha ajo
Ajo shprehu vlerësim për bashkëpunimin e suksesshëm me zyrën e PNUD në Shqipëri, në realizimin e projekteve të zhvillimit në fusha të ndryshme.
Administratorja e PNUD, zonja Clark u shpreh se, Shqipëria ka bërë progres historik dhe është një model inspirues e referimi për punën dhe vizionin e OKB-së në projektet e saj ndërkombëtare.
Në përgjigje të interesimit të Administratores së PNUD për zhvillimet politike në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit theksoi se: “aktualisht në Parlament, reforma zgjedhore ka arritur në 90% të punës për plotësimin e rekomandimeve OSBE-ODHIR dhe reforma parlamentare po shkon drejt mbylljes. Mazhoranca ka vullnetin e palëkundur për të mbyllur me konsensus këto reforma, si dhe ka ofruar bashkëpunim për heqjen e imunitetit ndaj zyrtarëve të lartë dhe gjyqësorit.
Gjatë bisedës dy bashkëbisedueset u ndalën për çështjen e përfaqësimit të grave, ku Kryetarja Jozefina Topalli njohu zonjën Clark me angazhimin e saj dhe të Kuvendit në ngritjen e një mjedisi të favorshëm, me shanse konkurruese për rritjen e kuotës së përfaqësimit të tyre.
“Çështja e përfaqësimit të grave është çështje të drejtave të njeriut dhe ne po punojmë fort për rritjen e rolit dhe përfaqësimit të tyre në të gjitha fushat.
“Si grua, si nënë dhe si politikane përpiqem që çdo ditë, të risim sensibilizimin, të përmirësojmë ligjet dhe rezultatet në terren, në mbrotje të të drejtave, të shëndetit të tyre, në fushatat mbarë kombëtare kundër tumorit të gjirit, dhe qafës së mitrës, si dhe në luftën kundër dhunës në familje” u shpreh Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Zonja Clark e përgëzoi Kryetaren e Kuvendit për eksperiencat dhe përvojën e suksesshme në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe lidershipit të gruas në politikë.